Madhëria e mendjes tënde krijon xhelozi te njerëz të caktuar. Madhëria e zemrës krijon miqësi dhe rrezaton dashuri. ( Fjalë e urtë arabe)

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Sa herë që haxhinjtë tanë kthehen nga tokat e shenjta, më kaplon një gëzim dhe një ndjenjë e veçantë e kënaqësisë sepse e njoh mirë përjetimin e të qenurit për një kohë të caktuar pjesë e disa milionë besimtarëve që vijnë nga të gjitha anët e botës për të bashkuar shpirtin dhe zemrën, për të ndier nga afër kuptimin dhe esencën e barabarësisë mes njerëzve pa dallim kombi, gjuhe, race, pa dallim të statusit social.

Edhe këtyre ditëve kur haxhinjtë tanë filluan të kthehen, nga takimet e shumta me ata po përjetoj ndjenjën e kënaqësisë të paskajshme, po e vërej mrekullinë nga dashuria, mirësia dhe kujdesi i ndërsjellë i njerëzve që nuk njihen me njëri tjetrin por që fuqishëm njohin dhe besojnë Allahun, Krijuesin dhe Sundimtarin e Botërave. Me këtë ndjenjë po ju dëshiroj këtyre ditëve njerëzve tanë mirëseardhje , i bindur se nga Meka dhe Medina po kthehen të pasuruar shpirtërisht,me zemër të pastërt, me besim të forcuar. Sinqerisht, ua kam lakmi njerëzve të cilët për një kohë të caktuar kanë qenë të shkëputur nga ambienti dhe atmosfera e këtushme që kohëve të fundit nuk po i lejon njeriut të rëndomtë t’i përkushtohet ekologjisë së shpirtit e të zemrës,nuk po i lejon t’i gëzohet asaj që e bën individ të lumtur e të përmbushur.

Vetëm javën që shkoi lexuam e dëgjuam për raste që s’kanë se si të mos e shqetësojnë njeriun dhe të mos e ngjallin dilemën se mos vallë dashuria, humnaiteti dhe solidariteti ndërnjerëzor po shndërrohen në floskula dhe kategori të pa vlera. A është e mundur që vrapi maramendës pas të mirave materiale, konkurenca dhe rivaliteti politik, përkatësia kombëtare e fetare, të bëhen promotorë të urrejtjes e jonjerëzisë ?

Jam thellësisht i zhgënjyer nga vrazhdësia dhe jokorektësia me të cilat është infektuar politika shqiptare këtu dhe në Shqipëri e Kosovë. Akuza e kundërakuza që nuk dallojnë fare nga rrugaçëria, urrejtje patologjike, ndërkëmbëza, sajime e imputime. Dhe, të gjitha këto mes vëllezërve të gjakut, të gjitha këto në emër të kauzës së dashurisë për kombin e popullin. Të gjithë po bëhen copash në vrapin për të fituar përkrahjen e shqiptarit të zhytur në halle e brenga ekzistenciale duke e anashkaluar trësisht faktin dhe idenë se qëllimi dhe synimi I njejtë realizohet shumë më lehtë dhe shumë më natyrshëm nga një shtrëngim I rëndomtë i duarve. E dhembshme!

Të gjitha këto po ndodhin në kohët kur të rinjtë tanë poi kin ku sytë këmbët duke mos dashur të durojnë më padrejtësinë që po ju servohet aq lehtësiht si fat i tyre të cilin duhet ta jetojnë në vazhdimësi. Po ndodhin këto gjëra në kohët kur ambulancat dhe barnatoret po bashkëpunojnë për të fshehur ilaçet që jepen me recetë e për t’I shitur pastaj me çmime më të larta, hajni kjo që po prek njerëzit më të goditur nga skamja. Këto gjëra po ndodhin kur dallimet mes shtresave në shoqëri po thellohen me shpejtësi marramendëse, kur shkollimi po e humbë vlerën dhe kuptimin,kur punësimi po varet nga lidhjet dhe njohjet , kur zhvatja dhe korupsioni po bëhen pjesë e mendësisë edhe të atyre që duhet të luftojnë këto dukuri.

Sa çudi që të gjitha këto po ndodhin përpara syve të faktorit tonë politik i cili, i copëtuar siç është, po vazhdon të pretendojë se po merret me hallet tona në këtë shteti që po zbrazet dhe po i tkurë familjet tona . Sa çudi që ata po e mbajnë gajlen tonë e po n’a lënë të përballemi vetë me vlerat e përmbysura shoqërore të cilat n’a i imponuan me politikat e gabuara.Cfarë teatri absurd në një shtet që po troket në dyert euroatlantike!

Mjerisht, llafet e premtimet boshe po I shpërndanë era, pallavrat për ndryshime që do e ndryshojnë mirëqenien e njeriut të këtushëm po treten , drejtësia po vonohet gjithnjë e më shumë dhe të gjithë ne po mbetemi të vetmuar e të humbur përpara faktit se në këtë katrahurë kemi filluar të humbim detyrimin tonë parësor që është – kultivimimi ekologjisë të zemrës dhe shpirtit, kjo skutë ku strehohen humanizmi,solidariteti, shpresa dhe dashuria , bindja dhe besimi.
I vetëdijshëm për këtë mjerim, me gëzim po i dëgjoj përshtypjet e haxhinjëve tanë të cilët në dashurinë dhe adhurimin e përbashkët të Zotit kanë gjetur ilaçin për zemrën dhe shpirtin. Jam i sigurtë se lutjet e tyre përbëjnë reliefin e ekologjisë së shpirtit, jam i sigurtë se qëndrimi i tyre në haxh është ngritje e vetëdijes në sfera të paimagjinueshme për njerëzit që i përmenda në shembujt e sipërm.

“Vetëm fëmijtë kanë komoditetin për të luajtur me jetën, kur riten – jeta fillon të luajë me ata”, është thënë moti. Andaj mendoj se të gjithë ne që s’jemi fëmijë do duhej të bëjmë kujdes, nëse për asgjë atëherë bile për t’ua lehtësuar situatën fëmijëve tanë që do riten e më të cilët jeta do të luajë !

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *