“624.5 milion euro në vitin 2018 kundrejt 181.7 milionë në vitin 2017,që paraqet rritje prej 244%. Ky është rekord historik i IHD-ve në Republikën e Maqedonisë së Veriut që prej pavarësisë së vendit e deri më sot. Vetëm në tremujorin e katërt të vitit 2018 ata arritën në 311.3 milionë euro, krahasuar me 167.9 milionë euro në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Pra edhe këtu kemi një rritje prej 85% “, theksoi ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi pas publikimit të të dhënave të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut , në komunikatën e sotme për vlerën e investimeve të huaja në tremujorin e fundit të vitit 2018 dhe për vitin e kaluar në përgjithësi.

Sipas ministrit Bekteshi, kjo shifër është rezultat i angazhimit të kësaj qeverie në realizimin e politikave ekonomike të qëndrueshme, por edhe politikës së jashtme të suksesshme, ku kishim vënë theksin vitin e kaluar ndërsa rezultoi edhe me zgjidhjen e problemit të vjetër me Greqinë fqinje, anëtarësimin e paralajmëruar në NATO dhe progresin e arritur në procesin e integrimit evropian.

“Plani i Zhvillimit Ekonomik, Ligji i ri për Mbështetje Financiare të Investimeve, puna e përbashkët e ekipit ekonomik në krijimin e masave për komunitetin e biznesit dhe realizimi i politikave të parashikueshme për tërheqjen e investimeve të huaja sollën rezultat , të cilin këtë vit, si vit ekonomik ,shpresojmë ta tejkalojmë ”, shprehet Bekteshi.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke iu përgjigjur një prej pyetjeve nga sesioni i djeshëm të pyetjeve nga deputët në Kuvendin e RSM, tha se përveç 17 investimeve të huaja të realizuara në vend në vetëm 20 muaj, në ditët e fundit nga ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek, gjashtë kompani greke kanë vendosur të investojnë në vendin tonë. Ndër investimet e paralajmëruara për periudhën e ardhshme është kompania gjermane “Geresheimer”.

Kryeministri Zaev theksoi se investimet e huaja në vend vitin e kaluar hapën 4,500 vende pune me paga të mira, falë politikave të guximshme të qeverisë dhe parlamentit, pa shpenzuar fonde për reklamim dhe promovim.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *