Shpesh, politika, përkundër deklarimeve humane, sillte vepra johumane. Argument për këtë, do të jenë votimi që na pret. Situatë kur qengji bëhet ujk e ujku qengj. Shqiptarët nuk kanë nevojë të luajnë rrole, kanë nevojë për bosht kurrizor. Kanë nevojë për vlerësimin e fuqisë së vet. Kur për herë të parë në historinë e Maqedonisë, kryetar i Parlamentit bëhet një shqiptar, rikonfirmoi se hegjemonia është e pavlershme kundrejt demokracisë. Të gjithë shqiptarët, si një, u ngritën në mbrojtje të Komandant Forinës, qëndrimit të tij dinjitoz, në mbrojtje të Selës dhe votës së paprekshme të qytetarit. Ne, shqiptarët fituam, si asnjë herë më parë. Ne fituam edhe kur filloi përdorimi i gjuhës shqipe, edhe pse mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por megjithatë, shqipja, është këtu, mes nesh.

Ne fituam kur votuam pro Marrëveshjes së Prespës, bashkëngjitjes së Aleancës së NATO-s dhe dialogut për procesin integrues të ngelur me dekada. Ne fituam, kur në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, i vumë kushtet tona për përfaqësim. Kjo dëshmoi se ngadalë por sigurte, shqiptarët e zgjuan. Shqiptarët u dukën. Sepse shqiptarët jetojnë prej shekujsh në shtëpitë e veta, me orientimin euro-atlantik. Ku jemi sot? Sot, mediat dhe një pjesë analistësh, duan të na bindin, se çka është mirë për pakicën shqiptare, duke qenë përball interesit nacional, shumicë bindëse në pjesë domethënëse të Maqedonisë.

E para, nuk guxojmë të luajmë me arritjet e deritashme. Duke synuar të marrim gjithçka, të mbesim pa asgjë, në nivele opshtinash.

E dyta, nuk guxojmë të hyjmë në vallen e shthurjeve të rendit demokratik, për hakmarrje meskine, siç ishte rasti me kandidatin Reka. Shthurja, është koncept i importuar nga të gjithëdijshmit që nuk kanë bërë asgjë për çështjen kombëtare, është veprim sipas skenarit të fqinjëve verior.

E treta, çelësi nacional në politikë, ka vlera të çmuara në kthesat e fuqishme apo tronditjet, sikur ajo e UÇK-së, ndryshe, politika ka të panjohura më të mëdha se çelësi nacional.

E katërta, patriotizmi i deklaruar, duhet të përmbyll në vete, mundësitë, synimet dhe bazën reale të potencialeve nacionale- përtej pozave, duke mos anashkaluar marrëveshjen paraprake, lojën politike dhe kapacitetin e dëmshëm prapakthyes.

E pesta, parimi i lapsit, kur dikujt ia dhuron lapsin, ke mundësi edhe moral t’i thuash se çfarë të shkruaj. Por, nëse atë laps, e shpërdoron një herë ai që ia fal, nuk i falet lapsi i dytë.

Kjo është situata e ish-ishave të pushtetit. E gjashta, ndarja e trupit elektoral shqiptar në dy drejtime, ndihmon praktikat e fqinjëve veriorë dhe rikthimin e terrorit politik në skenë, nëpërmjet një posti bllokues. Mjaftojnë këto që shqiptarët të jenë faktor i emërimit të presidentit, pro euro-atlantik. Mjaftojnë që shqiptarët të mos kenë frikë nga potenciali i vet. Shqiptarët duhet të duken, të jenë aq sa janë, para kutive, jo për kandidatin maqedonas, por kandidatin e shqiptarëve që ruan vlerat e arritura të Maqedonisë së Veriut. Për presidentin që njeh vlerën, peshën dhe kapacitetin e shqiptarëve, si fuqi e qenësishme politike dhe ekonomike në Maqedoninë e Veriut. Gjithsesi, nëse kthehemi të mendojmë se çfarë ngjau me shqiptarët që votuan pro politikës malaziase, rikonfirmon se shqiptarët janë për aq sa duken. Prandaj, o vëlla, o mik, o shqipe, mos u ndal. Dëshmoje praninë tënde. Shqiptar, mos ik, voto e dëshmo ekzistencën tënde!

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *