Zv. ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti thekson se janë bërë të gjitha përgatitjet duke përfunduar gjithsej 18 cikle siç njihen të planit të veprimit për anëtarësim e që janë vlerësuar pozitivisht nga strukturat e NATO-s.

Këto komente Maksuti i bëri në emisionin “Intervista Javore” në TVM2, ndërsa thotë se rritja e buxhetit për armatën nuk do të sjellë implikime negative në shtet por përkundrazi do të rritet numri i investitorëve të huaj.

“Ne deri tani kemi kaluar 18 cikle të planit të veprimit për anëtarësim, të gjitha këta 18 cikle kanë qenë të suksesshme deri më tani, të vlerësuara nga strukturat e NATO-s. Prej muajit shkurt të këtij viti kur u nënshkrua faktikisht protokolli për anëtarësim në NATO në Bruksel kemi filluar rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit tonë, të MB-së, të armatës drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO.

Për vitin 2019 ne kemi një rritje të dukshme të buxhetit të mbrojtjes. Ne parashohim që brenda vitit 2024 të arrijmë në 2 përqindëshin që është një kriter apo një kërkesë e NATO-s si buxhet brenda për brenda MB”, tha zv ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti.

Sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në Ministrinë e Mbrojtjes dhe armatë, Maksuti thotë se është bërë shumë, mirëpo akoma ka hapësirë për përmirësim.

“Deri më tani përfaqësimi i shqiptarëve në armatë është 19.9 për qind. Gjithmonë ka vend edhe më shumë për tu bërë mirëpo gjithmonë nuk duhet të harrojmë edhe faktin që ku kemi qenë dhe ku jemi. A duhet të kënaqemi me këtë përqindje?, sigurisht që jo, mirëpo fokusi ynë nuk duhet të jetë vetëm në numrat por edhe në kualitetet, gjegjësisht në cilësi”, tha Maksuti.

I pyetur në lidhje me strukturat e vjetra desturkitve në armatë, Maksuti tha se me procesin reformues që është nisur nga Ministria e Mbrojtjes brenda për brenda do të bëhet edhe riformatim i forcave të armatosur për të përzgjedhur individët në bazë të meritave.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *