Nisma për bashkimin e Mitrovicës, Pacolli i del krah Bahtirit

Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se e përkrah iniciativën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri për bashkimin e Mitrovicës.

“Besoj që askush nuk është kundër nismave qytetare, të bazuara në kushtetutë dhe ligj, për më tepër kur këto janë një mekanizëm për ushtrimin e sovranitetit i cili buron nga qytetarët dhe u takon vetëm atyre”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Pacolli ka thënë se Republika e Kosovës e ka rregulluar mjaft mirë procedurën dhe kriteret përmes të të cilave realizohet një nismë legjislative nga qytetarët, qoftë për ndryshimin e ndonjë ligji apo hartimin e ndonjë ligji të ri.

“Dihet se inicimi i nismës legjislative është vetëm një fazë e kësaj procedure, dhe se pas kësaj i mbetet Kuvendit të Republikës së Kosovës që të vendos për procedimin e mëtutjeshëm të nismës legjislative, që vjen nga qytetarët”, ka shtuar Pacolli.

Për nismën e qytetarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave, e iniciuar nga kryetari i Komunës Agim Bahtiri dhe Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Pacolli ka thënë se është një e drejtë kushtetuese, që buron nga vullneti i tyre për të ushtruar sovranitetin që i takon vetëm qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në një konferencë të mbajtur sot ka thënë se për shtatë ditë sa ka zgjatur peticioni për bashkimin e Mitrovicës atë e kanë nënshkruar 16 mijë e 594 qytetarë.

Franca përshëndetë miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni

Franca e përshëndet votën përfundimtare mbi ndryshimet kushtetuese më 11 janar nga Kuvendi i Maqedonisë dhe vlerëson se bëhet fjalë për një fazë e rëndësishme për hyrjen në fuqi të marrëveshjes së Prespës, e cila duhet t’i jep fund kontestit me Greqinë.

“Franca e përshëndet votën përfundimtare për ndryshimet kushtetuese më 11 janar 2019 nga ana e Kuvendit të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, të cilat parashikohen me marrëveshjen e Prespës të nënshkruar më 17 qershor të 2018-tës në mes këtij vendi dhe Greqisë.

Kjo është një fazë e rëndësishme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje historike, e cila do ti jep fund kontestit dypalësh.

Siç theksoi edhe Presidenti i Republikës Franceze, marrëveshja është e mirë për vendin, për rajonin dhe për Evropën.

“Franca tani dëshiron që së së shpejti kjo të ratifikohet e dhe në Kuvendin grek”, tha zëdhënësja e Ministrisë për Evropë dhe Punëve të Jashtme të Francës, Agnes Von Der Muhll, të cilën e përcolli ambasada franceze në vend.

Afati i fundit kur qytetarët e Maqedonisë do të duhet të ndryshojnë dokumentet personale me emrin e ri të shtetit

Emri i ri i Maqedonisë do të shoqërohet edhe me shpenzime të reja për qytetarët. Pas ratifikimit të marrëveshjes së Prespës nga ana e parlamentit Grek qytetarët e Maqedonisë së Veriut, do të duhet t’i ndryshojnë dokumentet materiale të administratës shtetërore, dokumentet për përdorim të brendshëm dhe dokumentet për përdorim të jashtëm. Nëse llogarisim, vetëm nxjerrja e pasaportës së re, letërnjoftimit dhe lejes për vozitje, për një person do të kushtojë rreth 2300 denarë. Për një letërnjoftim nevojitet kërkesë që kushton 20 denarë dhe fletëpagesë 190 denarë, gjithsej 210 denarë.

Për një pasaportë nevojitet formular që kushton 1500 denarë dhe taksë administrative 200 denarë, gjithsej 1700 denarë. Për lejen e vozitjes nevojitet formular që kushton 280 denarë dhe taksë administrative 110 denarë, gjithsej 390 denarë. Për qytetarët të tria këto dokumente kushtojnë 2300 denarë. Zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha, për TV21 tha se do të jetë e domosdoshme që qytetarët t’i ndërrojnë të gjitha dokumentet që posedojnë, në një afat kohor prej pesë vjetësh, pasi të hyjë në fuqi Marrëveshja e Prespës.

“Saktë në marrëveshjen e cila pritet të miratohet nga parlamenti grek dhe të hyjë në fuqi, brenda 5 viteve, e cila do të jetë e lidhur edhe me hapjen e kapitujve me negociatat me Bashkimin Evropian, do të fillojë edhe ndryshimi i dokumenteve. Kjo procedurë sipas marrëveshjes duhet të mbarojë me një afat prej pesë viteve”, tha Muhamed Hoxha – Zëdhënës i Qeverisë.

Në Marrëveshje qëndron se pasi që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe pasi që Maqedonia të mbarojë me të gjitha procedurat e brendshme juridike që Marrëveshja të hyjë në fuqi, Greqia menjëherë do ta ratifikojë të njëjtën. Kur të ratifikohet Marrëveshja, Greqia duhet që ta miratojë edhe Protokollin për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe të kërkojë anëtarësimin e vendit fqinj me emër të ndryshuar në BE.

Pasi që Marrëveshja të hyjë në fuqi, Maqedonia duhet që t’i njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, institucionet dhe forumet që është anëtare, se kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi dhe se më pas do të kërkojë nga ata që ta pranojnë dhe ta përdorin emrin e ri.

“Formatimi” i Qeverisë, nuk diskutohet nga partnerët qeveritarë

Partnerët e koalicionit akoma nuk kanë diskutuar për rifreskimin e kabinetit qeveritar, edhe pse një gjë e tillë u përmend si mundësi pas ndryshimeve kushtetuese. Në Qeveri thonë se kjo çështje ende nuk është hapur për diskutim. Nuk përjashtojnë mundësinë e ndryshimeve të disa posteve ministrore, por thonë se kjo gjë ju takon partnerëve të koalicionit. Alsat, jo zyrtarisht mëson se përveç katër ministrave në opsion për lëvizje janë edhe tre zëvendëskryeministra. Nga BDI, thonë se ende është herët të flitet për rifreskim të ekzekutivit. Artan Grubi thotë se BDI ka prioritete tjera.

“Tash është koha për ligjin e gjuhëve dhe nuk planifikojmë që së shpejti të bëjnë këmbime postesh”, u shpreh Artan Grubi, BDI.

Edhe në partinë e Zaevit thonë se në këtë moment rifreskimi i Qeverisë nuk është hapur si temë me partnerët e koalicionit.

“Çështje të këtilla nuk janë të hapura në këto momente, megjithëse për çdo detaj, adresa e vetme është kryeministri Zoran Zaev. Puna e të gjithë ministrave po përcillet në vazhdimësi”, tha Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Më i përfoluri deri tani për të ikur nga Qeveria është zëvendës kryeministri Hazbi Lika, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e këmbimit të dikastereve mes BDI-së dhe LSDM-së. Për Likën pakënaqësi kishte shprehur vet kryeminstri Zaev. Konkretisht për mungesën e tij në seancat e Qeverisë dhe në Sekretariat, i cili është në opsion të shndërrohet në Ministri për sisteme politike dhe multikulturalizëm. Në fund të dhjetorit, u shkarkuan dy ministra të kabinetit të Zaevit, Aksel Ahmedovskit nga posti i ministrit pa portofol i angazhuar për implementimin e strategjisë për përmirësimin e gjendjes së romëve si dhe ministrin Adnan Qahil ministër për investime të huaja. Në vend të Ahmedovskit, u emërua Muzafer Bajram, ndërsa në vend të Adnan Qahilit u emëruar Elvin Hasan.

Çështja e emrit të Maqedonisë duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit

Rusia beson se ndryshimin i emrit të Republikës së Maqedonisë në këtë mënyrë nuk pasqyron vullnetin e popullit dhe se nuk mund të pranohet si një zgjidhje, njoftoi Ministria e Jashtme ruse në lidhje me votimin e ndryshimet kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë. Ministria e Jashtme ruse thotë se çështja e emrit të Republikës së Maqedonisë duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me pikën 3 të rezolutës 845.

“Qëndrimi i Rusisë për çështjen e emrit mbetet i pandryshuar: Zgjidhje të qëndrueshme për emrin mund të ketë vetëm me mbështetje e gjerë të popullit dhe brenda suazave ligjore, pa ndërhyrjen dhe kushtëzime të jashtme. Ndryshimi i emrit të Republikës së Maqedonisë në këtë mënyrë nuk reflekton vullnetin e popullit dhe nuk mund të pranohet si zgjidhje. Çështja e emrit të Republikës së Maqedonisë duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në përputhje me pikën 3 të rezolutës 845 të vitit 1993 “, thuhet në reagimin e MPJ-së ruse.

Me Rezolutën 845 të 18 qershorit të vitit 1993, Këshilli i Sigurimit i bën thirrje ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Greqisë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për mosëmarrëveshjet e tyre nën kujdesin e sekretarit të Përgjithshëm.

Ministria e Jashtme ruse thotë se ndryshimet kushtetuese janë një vazhdim i procesit të ndryshimit artificial të emrit të imponuara nga jashtë, me qëllim që Shkupi me forcë të futet në NATO.

“Qëndrimi i presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe mendimi i shumicës së populli që refuzon Marrëveshjen e Prespës janë injoruar”, thonë nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

Më 11 janar, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja e Prespës, duke përfshirë edhe amendamentin që ndryshon emrin nga Republika e Maqedonisë në Republikës e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në fuqi pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek.

BDI-në po e shani, pastaj po ktheheni e përqafoni

Urim Saliu

E shane panderprere BDI-ne, a kur takohet me rektorin qe e ka zgjedhur BDI-ja behet “pishpilik”.E shan BDI-ne ndersa kur takohet me drejtorin qe e ka emeruar BDI-ja behet kanarine e bute , nuk do te del nga zyra e tij.E shane BDI-ne a i ben like panderprere dhe e perqafon kryeshefin e policise qe e ka zgjedhur BDI-ja , e keshtu me rradhe.Njerez pa dinjitet qe derdellisin a nuk jane vetvetja.Dyfytyresh te papare…

Hahn: Koha është për reforma dhe jo për zgjedhje të parakohshme

Kontesti për emrin nuk është i vetmi kusht për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe pëqëndrimi tani e tutje duhet të jetë në reformat dhe jo në zgjedhjet e parakohshme, tha komisioneri i BE-së, Johannes Hahn në intervistë me korrespondentin e MIA-s në Bruksel. Vendimi për zgjedhje të parakohshme, thotë Hahn, është sovran, por “këshilla e tij përulur” është e “papërmbajtshme nga të gjitha këto idetë e tjera”.  Ai nuk pajtohet me perceptimin e disa personave të caktuar se tani është koha e mirë për zgjedhje të parakohshme, për shkak se, siç thekson ai “nuk ka shumë kohë deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian”.

Johanes Han, komisar i BE-së për zgjerim: Vendi duhet ta shfrytëzoj këtë moment shumë pozitiv të krijuar nga Marrëveshja e Prespës, sepse qëllimi ynë është që të merret vendimin në verë dhe me të vërtetë të hapen kapitujt e parë deri në fund të vitit. Dhe kjo mund të arrihet vetëm në qoftë se të gjithë me të vërtetë angazhohen për të bërë progresin e nevojshëm. Tani që çështja e emrit është në rrugën e duhur për t’u zgjidhur në sajë të përcaktimit të udhëheqësve dhe sjelljes së përgjegjshme të deputetëve që votuan për marrëveshjen, përpjekjet duhet të fokusohen në reformat, veçanërisht në sundimin e ligjit.

Megjithatë, siç tha Hahn, për Maqedoninë vendimi për hapjen e negociatave ende nuk është I garantuar, derisa nuk kryhen reformat e kërkuara nga BE qershorin e kaluar, sidomos reforma në shërbimet e inteligjencës, lufta kundër korrupsionit dhe reforma gjyqësore. Ai shpreson se zhvillimet e fundit në Greqi nuk do të kenë ndikim negativ në marrëveshjen e Prespës dhe është i bindur se marrëveshja do të kalojë nga pala greke.

Konkurset publike në burgje, mjet punësimi për zyrtarët e PS

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.

Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.

“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur.

Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një duzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko.

Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë janë përgjuar ndërsa shëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime apo transferime nisur nga lidhjet partiake apo personale, dhe jo mbi bazën e meritës.

Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë apo njerëzit e lidhur me pushtetin-një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri.

Arben Çuko, një ish-komandant i Gardës së Republikës dhe ish-deputet i Partisë Socialiste u ngjit në krye të Burgjeve në korrik të vitit 2017, por vetëm disa muaj më pas u përfshi në hetimet e Prokurorisë, për shkak të komunikimeve të tij telefonike me anëtarët e një grupi kriminal për transferimin e një të dënuari.

Ai u shkarkua nga detyra pa mbushur ende vitin dhe në tetor 2018 u arrestua për korrupsion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çuko i ka mohuar akuzat dhe ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.

Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmoi se procedurat e punësimeve në Burgje janë në proces hetimi. Një drejtues i çështjes u rezervua megjithatë të komentonte nëse ishin marrë në pyetje persona të dyshuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga pranoi bisedën telefonike gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, ndërsa shpjegoi se kishte ndërmjetësuar për rastin pas një kërkese për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës.

(Kliko këtu)

Thëniet e saj u konfirmuan edhe nga Motër Tereza Maria e misionit me qendër në Tiranë, e cila pohoi se i kishte transmetuar Bizhgës një kërkesë për ndihmë gjatë një takimi në Kryeministri, të cilin e quajti privat.

Zyra e shtypit e Kryeministrit nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi ndërhyrjet për punësime në burgje deri në botimin e këtij shkrimi.

Trafiku i influencës

Ndarja e vendeve të punës në administratë sipas përkatësisë partiake dhe jo sipas meritës është një problem i mbartur i tranzicionit në Shqipëri. Reforma në administratën publike është gjithashtu një ndër kushtet kryesore për integrim në BE, e cila në progres raportin e fundit kërkoi hapa të mëtejshëm në sigurimin e një administrate eficente, të depolitizuar dhe profesionale.

Admiistrata jo-politike është gjithashtu një premtim i përsëritur i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 fajësoi aleatin e vogël LSI për punësime politike dhe deklaroi se do ta çonte “tepsinë për skrap”.

Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve.

Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë.

E pyetur mbi rrethanat e telefonatës së bërë në emër të saj me Çukon, shefja e kabinetit të Ramës, Znj.Vali Bizhga shpjegoi se kishte marrë një kërkesë për ndihmë nga motrat e Nënë Terezës gjatë një takimi të zhvilluar me to në Kryeministri në fund të janarit.

Gjatë takimit, motrat e Nënë Terezës kishin kërkuar ndihmë për një grup prej rreth 15 të rinjsh të sapodiplomuar nga familjet vulnerabël, të cilët e kishin pasur të pamundur të gjenin punë. Bizhga shtoi se ishte ndjerë keq gjatë takimit dhe CV-të e të rinjve ia kishte përcjellë Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

E pranishme në takim ishte edhe Vitiona Dervishaj, një vajzë rreth të 30-ave e diplomuar për juridik, e cila ishte e vetmja që insistonte për punë në shtet.

“Arsyeja lidhej me babanë e saj, i cili kishte qenë punonjës i Burgjeve dhe kishte humbur jetën në aksident. Gjatë ceremonisë mortore, shokët e të atit i kishin premtuar asaj vendin e tij në burgun e Fushë-Krujës,” tha Znj.Bizhga.

Ajo shtoi se nga janari në fund të prillit ishte pritur që të krijohej mundësia për konkurs dhe se telefonata nga zyra e saj ishte bërë pas insistimit të vazhdueshëm të motrave të Nënë Terezës.

“Ajo nuk është pranuar në punë pa konkurs dhe zotit Çuko nuk i është thënë që do ta fusësh në punë. Është e vërtetë që ajo është aksesuar në konkurs, por ftesa për konkurs u drejtohet të gjithëve,” tha Bizhga për Zërin e Amerikës.

E pyetur nëse ajo ia kishte dalë të fitonte konkursin, Bizhga tha se nuk e kishte ndjekur çështjen në detaje. “Unë nuk di të them nëse kishte një kandidat më të zotin se Vitiona për atë punë. Këtë unë nuk di ta them,” shtoi ajo.

E kontaktuar përmes telefonit, motër Tereza Maria e misionit të Motrave të Nënë Terezës në Tiranë konfirmoi takimin në kryeministri dhe tha se kishte shkuar atje në mirëbesim, për të qarë një hall.

“Takimi ka qenë privat dhe unë kam kërkuar ndihmë për një grup të rinjsh që nuk kishin asnjë mundësi punësimi. E vetmja për të cilën u bë diçka ishte Vitiona, por edhe ajo nuk u rregullua në profilin e saj, por si arkiviste,” tha Motër Tereza Maria.

“Të tjerët i lanë nëpër zyrat e punës, derisa e kuptuan se janë tallur te zyrat e punës dhe janë tërhequr,” shtoi e zhgënjyer ajo.

Komunikimet e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tregojnë se deputeti socialist, Ulsi Manja i kërkonte Çukos transferimin e një punonjësi të policisë së burgjeve nga Kruja në Tiranë dhe një çështje të ngjashme diskuton edhe deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu.

Blerina Gjylameti përmendet në një bisedë të Çukos me një person të tretë për ndërhyrjen në punësimin e një personi të lidhur me Partinë Socialiste, ndërsa Paulin Sterkaj ankohet për transferimin e një policeje me origjinë nga Tropoja, nga burgu 313 te “Ali Demi”.

Zonja Spahiu, deputete e qytetit të Durrësit shpjegoi se e kishte telefonuar Çukon për një rast, që sipas saj ishte transferuar politikisht nga Durrësi.

“Ai ishte me prindër të sëmurë dhe punonte shumë larg banesës së tij. Ai kërkonte të drejtën e tij, pasi ishte transferuar vetëm për shkak të bindjeve të majta,” tha Spahiu duke shtuar se nuk është e sigurtë nëse transferimi u bë.

Edhe zoti Sterkaj pohoi se i ishte drejtuar Çukos për t’i përcjellë një ankesë mbi transferimin e padrejtë të një punonjëseje të policisë së burgjeve.

“Sa herë marr ndonjë ankesë, unë reagoj sa është e mundur. Pastaj është çështje e institucioneve nëse veprojnë ose jo,” tha zoti Sterkaj, duke shtuar se punonjësja në fjalë ishte edhe “e djathtë”.

“Unë shqetësohem për hallet e njerëzve sa herë shoh padrejtësi, pa pyetur nëse janë të majtë ose të djathtë. Ne kaq kemi në dorë, se të tjerat i ka kryeministri,” shtoi më tej Sterkaj.

Deputetja Gjylameti tha se nuk komentonte “çështje që janë në hetim nga Prokuroria”.

(Kliko këtu)

Njësoj u përgjigj edhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Nuk mund të komentoj të dhëna të dala nga një hetim penal në proces, që përbën sekret hetimor përsa kohë nuk janë shprehur organet kompetente,” tha Manja.

(Kliko këtu)

Farsa e konkurseve

Sistemi i burgjeve në Shqipëri përbëhet nga 23 institucione të vuajtjes së dënimit dhe numëron një numër të konsiderueshëm punonjësish, si në radhët e policisë ashtu edhe në administratë. Për të dyja kategoritë, procedurat e rekrutimeve kryhen përmes konkurseve publike.

Megjithatë, një konkurs publik për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët e Partisë Socialiste dhe njerëzit e lidhur me pushtetin.

Konkursi publik për policë të rolit bazë u shpall në fund të marsit të kaluar dhe synonte të rekrutonte mbi 250 punonjës për 17 institucione të vuajtjes së dënimit në Shqipëri. Testimi u krye më 3 prill dhe thirrjes iu përgjigjën mbi 1300 kandidatë.

Por përtej fasadës, ish-drejtori Çuko ankohej në mesin e muajit prill se fituesit ishin bllokuar nga kryeministri dhe se të gjithë kandidatët u përkisnin listave të Partisë.

“O Gerti, gjithçka është e bllokuar nga kryeministri dhe nuk e di kur do të zhbllokohen,” thoshte Çuko më 14 prill. “Unë pres që nesër pasnesër të më thotë sa veta do fusësh nga 1 te 250. Unë s’e di ç’do të thotë ai tani,” shtohet aty.

“Ki parasysh që Lushnja nuk ka asnjë vend bosh, Fieri ka 20 vende dhe kanë sjellë 200 veta. Testimi këtë herë u bë me 1358 veta dhe të gjithë ishin listat e partisë. E kishin të qartë ata, hajt se po i fusim në burgje,” shprehet Çuko sipas transkriptit të bisedës.

(Kliko këtu)

Përgjimet nxjerrin gjithashtu në pah manovrat e kryera me testimet, ku rezultatet manipulohen për të favorizuar kandidatët e servirur përmes kanaleve partiake. Në përgjigje të një kërkese për të punësuar një person të lidhur me Partinë Socialiste, Çuko shpjegon se si do ta nxirrte atë fitues.

“Do bëjmë dhe procedurën gjasme fitoi kjo, humbën këta të tjerët. Më kanë ardhur 217 veta, gjasme me konkursin e famshëm publik,”thotë ai.

Episodet e dosjes së zotit Çuko nuk janë të parat në sistemin e Burgjeve, dhe as në administratën publike në tërësi. Në qershor 2017, pak para zgjedhjeve të përgjithshme, Ministria e Drejtësisë denoncoi funksionarë të LSI-së në Shkodër për punësime fiktive në burgun ende të papërfunduar në atë kohë të Reçit.

Ndërsa në mars të vitit 2018, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil i dorëzoi Kuvendit një raport, sipas së cilit 1/3 e punësimeve në administratë bëhen me urdhër titullari dhe jashtë procedurave të ligjit.

Dasmë shqiptare në Tokio të Japonisë

Arbër Demo nga Shqipëria dhe Mana Aoki nga Japonia këto ditë kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë, në një ceremoni mjaft të veçantë në kryeqytetin e Japonisë, në Tokio.

Në hotelin ku është mbajtur ceremonia e dasmës është vendosur flamuri i Shqipërisë dhe ai i Japonisë dhe me ceremoni tradicionale të të dyja vendeve është zhvilluar atmosfera e dasmës.

Në këtë ceremoni nuk ka munguar as vallja dhe veshjet tradicionale shqiptare të çiftit, ndërsa të gjithë dasmorët kanë vallëzuar në valle nën ritmin e këngëve shqipe, shkruan mediat, përcjell albinfo.ch.

Fotografia më e veçantë e dasmës është kur të gjithë dasmorët që qëndrojnë prapa çiftit i bashkojnë duart për të krijuar simbolin shqiptar, shqiponjën.